• Home
  • Seria A
  • A ka Interi dimension më europian tani? Inzaghi përgjigjet para “gogolit” Liverpool

A ka Interi dimension më europian tani? Inzaghi përgjigjet para “gogolit” Liverpool

Simone Inzaghi e di mirë se ndeshja e parë 1/16 e Ligës së Kampionëve kundër Liverpool-it do të jetë shumë e vështirë, por beson se skuadra e tij do të bëjë paraqitje të shkëlqyer. Ai e tha qartë këtë në konferencën për shtyp, që u zhvillua sot ‘online’, menjëherë pas drekës.

A mund të kompensohet distanca mes jush dhe Liverpool?
Skuadrat angleze janë shumë të forta dhe të gjitha e kanë fituar grupin e tyre, përveç Chelsea që përfundoi i dyti në ndeshjen e fundit. Liverpool është shumë i fortë, por klubi dhe tifozët tanë meritojnë të luajnë ndaj kundërshtarëve të këtij niveli. Do të jetë shumë e vështirë, por do të përpiqemi me armët tona.

Benitez thotë se Inter-Liverpool do të jetë ndeshje më e ekuilibruar nga sa mund të mendoni. A jeni dakord me të?
Në letër mendoj se Liverpool është favorit, por ndeshjet duhen luajtur gjithmonë. Djemtë e dinë se çfarë kërkoj prej tyre, të dalin në fushë dhe të propozojmë lojën tonë, me mendje të ftohtë, pa presion psikologjik. Në këto lojëra, vendosmëria bën diferencën. Deri tani kemi treguar se kemi vendosmëri dhe personalitet.

A ka Interi një dimension më europian tani se në të kaluarën? Pse ka humbur gjithmonë kundër klubeve të mëdha evropiane nga viti 2018 e në vazhdim?
Kam besim për nesër, sepse kam marrë sinjale të rëndësishme nga skuadra. Të shtunën, kundër Napolit të forte, luajtëm një ndeshje të mirë. Pjesa e parë ishte normale dhe ne qëndruam në lojë, pavarësisht penalltisë së hershme, ndërsa në pjesën e dytë treguam një shpirt të madh. Pjesa e dytë më jep besim për nesër. Do të përballemi me një ekip të madh, por nuk e fillojmë si të mposhtur pa luajtur ende.

Balotazhi i madh është midis Martinez dhe Sanchez. Pse duhet të luajë njëri dhe pse tjetri?
Të gjithë kanë shanse të barabarta për të luajtur tani. Në këtë periudhë kemi luajtur shumë ndeshje; dy sulmues do të luajnë nga minuta e parë, ndërsa një tjetër do të hyjë kur ndeshja të jetë në zhvillim. Do të vendos nesër për formacionin. Jam me fat që kam në dispozicion djem shumë të pjekur dhe përpiqem të aplikoj rotacionin gjatë kësaj periudhe.

Sa e madhe është dëshira për të luajtur një ndeshje kaq të rëndësishme, duke nënvizuar se Interi ka 11 vite që mungon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve?
Hapi i parë ishte arritja në raundin e dytë, rezultat i munguar prej 10 vitesh. Pa këtë as që mund të ëndërrohej për çerekfinale. Tani do të kemi një top-skuadër me individualitete shumë të forta përballë. Ndeshja fillon nga 0-0, ndaj besojmë te forcat dhe motivimet tona. Detajet mund të jenë vendimtare.

A e prisnit të mbërrinit ndaj Liverpool-it pas humbjes së pikëve në Serie A kundër Milanit dhe Napolit?
Paraqitjet ndaj Milanit dhe Napolit ishin të kënaqshme. Për 70 minuta luajtëm një derbi të madh, ndërsa në Napoli rikuperuam shumë. Për atë që kemi grumbulluar, 1 pikë nga 6 të mundshme, nuk jam i kënaqur, por kemi dhënë dy prova të shkëlqyera ndaj dy skuadrave të mëdha.

Çfarë keni mësuar nga dy ndeshjet që Milani luajti kundër Liverpool-it në fazën e grupeve?
Së bashku me stafin tim i kemi parë ato dy ndeshje dhe ato më të fundit të Liverpool-it. “Reds” kanë një skuadër të bollshme, një trajner të madh dhe lojtarë intensive. Kundërshtari ka qendërmbrojtës të mirë në goditjet me kokë dhe mbrojtës që dinë të të fundosin. Liverpool mund të na shkaktojë probleme në çdo sektor të fushës.

Leave A Comment