• Home
  • Champions League
  • Allegri, “dajak” Juventusit të tij: Jam shumë i zemëruar, në 5 ditë shkatërruam gjithçka

Allegri, “dajak” Juventusit të tij: Jam shumë i zemëruar, në 5 ditë shkatërruam gjithçka

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, foli në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Zenit: “Nesër është sprova e parë i sezonit. Po fituam, kualifikohemi më tej në Champions. Do të ishte një gjë e mrekullueshme, me 2 ndeshje pa mbaruar faza e grupeve. Kjo do të na lejonte pastaj të fokusoheshim më shumë te kampionati.

Të padisponueshëm janë Kean, De Sciglio dhe Ramsey. Të tjerët, perfshi Chiesa dhe De Ligt janë mirë. Unë do të vendos nesër se kush do të luajë. Në këtë moment jemi të inatosur dhe plot keqardhje, sepse brenda 5 ditëve hodhëm në det atë që kishim ndërtuar për një muaj e gjysmë. Duhet të reflektojmë dhe të punojmë për t’u përmirësuar. Kemi pësuar 11 gola në 6 ndeshje me ekipe të respektuara, që me meritë na mundën”.

Allegri u pyet edhe për mbrojtjen me 3 lojtarë: “Nëse do të kisha garancinë se do t’i fitonim të gjitha ndeshjet, do të luaja edhe në 7 në mbrojtje. Problemi është përmirësimi i fazës mbrojtëse të lojës, jo vetëm i repartit të pasmë. Zgjidhja është një: punë dhe fare fjalë.

Është një ndjenjë përgjegjësie që duhet ta kemi të gjithë. Kam një skuadër inteligjente, që e kupton se pas këtyre momenteve nuk ka nevojë të ngre zërin. Askush nuk priste të merrnim dy humbje radhazi. Ka pak për të folur. Nevojitet urgjentisht reagim”.

Më pas, Allegri foli për mundësinë e sulmit të formuar nga Chiesa, Dybala dhe Morata: “Ata kanë luajtur tashmë bashkë ndaj Sassuolos. Ekipet mund të përballojnë gjithçka, varet nga mënyra se si i qaseni ndeshjes. Chiesa nuk ishte në dispozicion të dielën, nesër po. Ndoshta do të luajë nga fillimi. Morata nuk po shënon, nga nesër pres të zhbllokohet”.

Leave A Comment