• Home
  • Seria A
  • Allegri i prerë: Kjo gjë është jashtë mundësive të Juventusit

Allegri i prerë: Kjo gjë është jashtë mundësive të Juventusit

Vazhdon aventura e Juventusit në Kupën e Italisë. E kualifikuar në gjysmëfinale, “Zonja e Vjetër” do të sfidojë Fiorentinën. Kjo, falë fitores 2-1 ndaj Sassuolos, e ndëshkuar me autogolin fatkeq të Tressoldit vetëm pak minuta nga fishkëllima e trefishtë.

I intervistuar nga “Mediaset” pas ndeshjes, Massimiliano Allegri u ndal në paraqitjen tjetër të shkëlqyer të blerjeve të reja, Vlahovic dhe Zakaria: “Ne jemi të kënaqur me nënshkrimet e tyre, janë integruar mirë. Vlahovic duhet të përmirësohet në sulmin në thellësi, por kjo është pjesë e evolucionit të secilit lojtar. Ne patëm pak fat, pas golit të tyre u zhdukëm disi, pastaj u zgjuam”.

Edhe Morata po përfiton shumë nga prania e Vlahovic në fushë: “Është normale, Alvaro ka luajtur gjithmonë me një pikë referimi. Me shpinë nga porta nuk jep gjithmonë maksimumin”.

Nuk ka shpresë për titullin, tri skuadrat e para në renditje janë shumë larg: “Potencialisht jemi 11 pikë larg Interit, gara jonë duhet të jetë kundër Atalantës. Të dielën do të duhet të jemi gati për atë që do të jetë një ndeshje jo pak vendimtare. Të tjerat janë jashtë mundësive tona”.

Leave A Comment