Ancelotti: Paraqitje perfekte, ky është Real Madridi që dua!

Real Madridi u kthye te fitorja bindëse në Ligën e Kampionëve. Pas dy humbjeve radhazi, njëra prej të cilave shokuese në shtëpi, kundër modestëve të Sherif Tiraspol, të bardhët u rehabilituan ndaj Dynamo Kyiv. Trajneri Carlo Ancelotti mbeti i gëzuar nga fitorja e thellë, loja bindëse, organizimi dhe nivel i lartë në mbrojtje. Në konferencën për shtyp, pas ndeshjes, italiani u shpreh:

“Ishte paraqitje perfekte nga ana jonë. E doja diçka të tillë, një reagim të fortë, sepse ky është Reali që ëndërroj. E di mirë që mund të luajmë në nivele të tilla gjithnjë. Nuk mund të veçoj askënd nga lojtarët, ishin të gjithë shumë mirë. Vinicius? Fantastik, por jo vetëm ai. Ishim shumë mirë si skuadër, të përqendruar qysh në fillim të lojës.

Rodrygo? Luajti një ndeshje shumë të mirë. A do luajë në ‘El Clasico’? Kur luajnë të gjithë një ndeshje të mirë, është shumë e vështirë t’i lësh jashtë. Më thoni, cilin të ul në stol nga ndeshja e sotme? Valverde? I dhashë pak pushim, sepse u kthye te shtunën nga kombëtarja dhe është stërvitur pak.

Ç’të them për Benzema… Tani është kthyer në lider. Para 6 vitesh ishte më i ri, tashmë është rritur si personalitet. Më pëlqente atëherë, më pëlqen edhe tani. Nuk kam ç’të them për Modric, Casemiro e Kroos, pra krejt mesfushën. Kanë fituar gjithçka të mundshme, janë profesionistë dhe kanë ambicie”.

Leave A Comment