Atletico Madrid-Milan, ndeshje “jetë a vdekje” për të dyja skuadrat

Nuk ka vend për gabime, vetëm një rezultat i mundshëm (fitorja) është i disponueshëm për të mos u eliminuar. Milani fokusohet sërish te Liga e Kampionëve, duke e ditur se ka një ndeshje për ta fituar në xhiron e pestë të fazës së grupeve; kundër Atletico Madridit.

Kuqezinjtë patën një fillim të keq në këtë kompeticion dhe shanset e tyre për të kaluar në fazën me eliminim direkt varen nga një fitore e mundshme kundër “Colchoneros”. Më pas hyjnë në lojë një seri kombinimesh të lidhura mbi të gjitha me rezultatet e Portos.

Të besuarit e Piolit mbërrijnë në këtë sfidë si të fundit e Grupit B dhe me vetëm një pikë të grumbulluar, rezultat i një barazimi të vetëm (ai me Porton në duelin e fundit) dhe tri humbjeve radhazi në tri ndeshjet e para.

Atletico Madrid gjithashtu do të dalë në fushë duke e ditur se nuk mund të bëjë asnjë gabim. Spanjollët zënë vendin e tretë në grup dhe po rikthehen nga dy humbjet radhazi, të dyja ndaj Liverpool-it.

“Reds” tashmë janë të sigurt se do ta mbyllin në vendin e parë klasifikimin e Grupit B, ku për momentin pamja është e tillë: Liverpool 12 pikë, Porto 5 pikë, Atletico Madrid 4 pikë, Milan 1 pikë.

Atletico Madrid dhe Milani do të përballen për herë të katërt në historinë e tyre dhe të Ligës së Kampionëve. Bilanci i përgjithshëm deri tani është i qartë: në tri ndeshjet e para, “Colchoneros” kanë fituar gjithmonë.

Simeone do ta projektojë Atletico Madridin e tij me skemën 3-4-2-1, në të cilin, përpara portierit Oblak do të rreshtohen Savic, Hermoso dhe Gimenéz. Koke dhe De Paul do të luajnë në mesfushë, ndërsa Suarez, i cili do të jetë qendërsulmues, do të mbështetet nga Correa dhe Griezmann.

4-2-3-1 i zakonshëm edhe për Stefano Piolin, që në mbrojtje nuk e rikuperon dot Tomori. Romagnoli do të luajë përkrah Kjaer, Kalulu dhe Theo Hernandez, ndërsa në mesfushë do të jetë radha e Kessie dhe Tonalit. Në sulm, Ibrahimovic në pankinë dhe Giroud titullar. Pas sulmuesit të vetëm do të luajnë Saelemaekers, Brahim Diaz dhe njëri mes Krunic e Leao, me të parin favorit.

Ja formacionet e mundshme:
ATLETICO MADRID (3-5-2): Oblak; Savic, Hermoso, Giménez; M. Llorente, De Paul, Koke, Lemar, Carrasco; Griezmann, Suarez.
MILAN (4-2-3-1): Tatarusanu; Kalulu, Kjaer, Romagnoli, Theo Hernandez; Tonali, Kessie; Saelemaekers, Brahim Diaz, Krunic; Giroud.

Leave A Comment