• Home
  • Champions League
  • Champions, Milani në “mëshirën” e Liverpool dhe rezultatit të Portos

Champions, Milani në “mëshirën” e Liverpool dhe rezultatit të Portos

Liga e Kampionëve është konsideruar gjithmonë universiteti i futbollit evropian, terreni më i vështirë dhe më prestigjioz për ata që duan të konkurrojnë në nivele të larta. Nëse Milani do të ishte student, mund të thoshim se një “5” e dobët do të mjaftonte për ta kaluar provimin. Nota minimale, por thelbësore për të qenë në gjendje të pretendosh fitoren pas një periudhe të gjatë studimi.

Realisht, vlerësimi që duhet t’iu jepet kuqezinjve duhet të jetë pak më i lartë, por në futboll, siç dihet, rezultatet bëjnë ndryshimin në botë dhe i paraprijnë performancës në hierarki. Me përjashtim të dy ndeshjeve kundër Portos, skuadra e Piolit është shfaqur gjithmonë mirë ndaj kundërshtarëve më të fortë në letër, duke lënë përshtypje positive te shikuesit.

Kjo mungesë harmonie mes pikëve të fituara dhe cilësisë së lojës së ofruar ka gjeneruar klasifikimin aktual të Grupit B të Champions League, i cili i sheh kuqezinjtë në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Atletico Madrid, dhe një më pak se skuadra e vendit të dytë, Porto.

Lider i grupit është Liverpool, i cili deri më tani i ka fituar të gjitha ndeshjet dhe prej kohësh ka marrë biletën për në 1/8 finale. Pikërisht “Reds”, në ditën e fundit të fazës në grupe, takojnë Milanin, ndaj të cilit nuk kanë asnjë arsye për t’i bërë keq. Kjo ndeshje nuk do të thotë asgjë për anglezët në planin rezultativ, por djemtë e tmerrshëm të Klopp duket se i kanë të gjitha qëllimet për të krijuar shkëputje të pastër në rrugën e tyre evropiane, me 6 fitore në 6 ndeshje, çka do të legjitimonte kandidaturën për fitoren përfundimtare, 3 vite pas herës së fundit.

Pothuajse me siguri, Liverpool-i në skenën e “San Siro” nuk do të jetë më i miri. Prioritet ka luftën e ndërlikuar në krye në Premier League për momentin, pa anashkaluar gjithsesi plotësisht kontekstin evropian, që meriton vëmendjen e nevojshme. Salah ndoshta do të qëndrojë i qetë, por duhet të ketë shtylla si Alexander-Arnold dhe Mané, me prezencën në mesfushë të Thiago Alcantara, të cilin ta përkufizosh ‘rezervë’ është mjaft nënvlerësuese.

Me pak fjalë, Klopp ka cilësi edhe në formacionin e dytë, ndërsa Pioli do të duhet të përdorë armët në dispozicion për t’iu kundërvënë. Më i rëndësishmi është Zlatan Ibrahimovic, pikë referimi i sulmit kuqezi, që ka humbur së fundi Rafael Leão, ndërsa në mbrojtje Romagnoli do të përpiqet të mos ndihet mungesa e keqardhur e Kjaer, në duet me Tomori.

Portier do të jetë Maignan, protagonist në ndeshjen e parë me një penallti të pritur karshi Salah. Një goditje shumë e fuqishme e egjiptianit, që i kushtoi portierit francez ndalesë të gjatë, në të cilën u zëvendësua nga Tatarusanu. Që Milani u largua nga “Anfield” pa pikë, kjo dihet, por me vetëdijen se mund të luajë kundër kujtdo, qoftë edhe ndaj një skuadre si ajo britanike. Rebic dhe Brahim Diaz trembën mijëra tifozë vendas, para përmbysjes, që dëshmoi të gjithë epërsinë teknike të Liverpool-it.

Dëshira e Milanit për të vendosur zemrën mbi pengesën mund të bëjë diferencën në 90 minutat e “San Siros”, por gjithsesi mund të mos mjaftojë. Një sy do të mbahet edhe te rezultati i Porto-Atletico Madrid, i cili në rast të një suksesi të portugezëve, do të dënonte kuqezinjtë, pavarësisht rezultatit të marrë ndaj Liverpool. Një skenar që “Djalli” dëshiron ta shmangë me çdo kusht, duke evituar kalimin në “Europa League”. E keqja më e vogël, por gjithsesi një e keqe…

Ja formacionet e mundshme:
MILAN (4-2-3-1): Maignan; Kalulu, Romagnoli, Tomori, Hernandez; Tonali, Kessie; Messias, Diaz, Krunic; Ibrahimovic.
LIVERPOOL (4-3-3): Alisson; Williams, Gomez, Van Dijk, Tsimikas; Henderson, Oxlade-Chamberlain, Morton; Salah, Origi, Mané.

Leave A Comment