• Home
  • Tenis
  • Collins e pafuqishme dorëzohet në finale, Ashleigh Barty triumfon në Australian Open

Collins e pafuqishme dorëzohet në finale, Ashleigh Barty triumfon në Australian Open

Tenistja australiane Ashleigh Barty triumfoi sot në grand slam të Australian Open, pas fitores 2-0 (6-3, 7-6) në finale e luajtur në Melburn ndaj amerikanes Danielle Collins. Kjo është hera e parë që Barty , numri 1 në botë, triumfon në turneun e shtëpisë. Madje ajo bëhet tenistja e parë australiane që e fiton këtë grand slam.

Një triumf i merituar i Barty, që tregoi karakter në fushë, sidomos në setin e dytë, kur përmbysi distavantazhin 1-5 në favor të Collins. Kur u duk se ndeshja do të shkonte me 3 sete, Barty rikuperon dhe barazon 5-5 shifrat dhe më pas gjithçka zgjidhet në “tie break” në favor të australianes.

Ndërsa seti i parë ishte një formalitet për numrin 1 në botë, që e fitoi me lehtësi 6-3. Collins, numri 27 në botë, kishte një shans të mirë për të rikthyer ekuilibrin në setin e dytë, por nuk ishte në gjendje të bënte hapin e fundit. Gjithsesi, ajo bëri një turne të mirë, teksa për herë të parë shkonte në finale e një grand slam.

Emocione dhe lot në sy për tenisten australiane, që triumfoi para fansave të saj në një turne të vështirë. Barty, 25 vjeçe, ishte favorite për fitimin e këtij eventi të madh dhe tashmë numëron tri grand slam të fituara në karrierën e saj. “Bëra realitet ëndrrën time dhe të të gjithë australianëve”, tha Barty pas ndeshjes.

Leave A Comment