• Home
  • Tirana
  • Derbi i kryeqytetit / Shehi do “kokën” e Partizanit si dhuratë të madhe për fundvit

Derbi i kryeqytetit / Shehi do “kokën” e Partizanit si dhuratë të madhe për fundvit

Tirana kryeson Superioren me 30 pikë, ndërsa Partizani renditet i pesti me 18 pikë. Distanca është e konsiderueshme mes dy skuadrave të kryeqytetit, që nesër do të luajnë derbin e dytë sezonal, në kuadrin e javës së 15-të të kampionatit.

Derbi i madh i kryeqytetit dihet se çfarë rëndësie ka për të dyja skuadrat, ndaj karikimi është më maksimal se kurrë. Sidoqoftë, për trajnerin bardheblu, Orges Shehi, nuk duhet të predominojë euforia apo thirrjet e tifozëve, por logjika sportive gjatë lojës:

“Kemi probleme me virozat, sidomos me Ismajlgecin dhe Taulant Seferin. Situata e Ismajlegecit është më serioze, do të presim deri në momentin e fundit. Mungesa e tij peshon shumë, për më tepër që Përgjoni është i dëmtuar.

Çdo ndeshje është e vështirë, dihet se derbi ka specifikë të veçantë, nuk merren parasysh pozicionet e skuadrave. Fitorja në derbi ndryshon situatat, është një ndeshje që të gjithë e presin me padurim. Jemi në një moment të mirë dhe shpresoj t’iu bëjmë një dhuratë tifozëve për festat e fundvitit. Në këtë mënyrë do të shkonim me moral të lartë në pushime. Futbolli është provim javë pas jave. Nesër, kemi provimin e derbit, ndeshje që duhet ta fitojmë për shumë arsye, për pozicionin që kemi dhe traditën. Çdo futbollist duhet të japë më shumë se maksimumin e tij.

Derbi është ndeshje që vendoset edhe nga episodet. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar. Fitorja duhet të vijë me lojë, duhet të prodhojmë për të marrë rezultat. Për trajnerët është e lehtë në kësi ndeshjesh, sepse lojtarët karikohen vetë. Sigurisht, mundohemi që të mos na rrëmbejë emocioni. Duhet të jemi të përqendruar në fushën e blertë dhe të mos na marrë euforia apo të ndikohemi nga tifozët.

Ballafaqimi i fazës së parë me momentin ku jemi aktualisht ndryshon. Rasti konkret është Partizani, mendohej se duhet të kishte më shumë pikë. Medoj se çdo skuadër ka marrë pikët që ka merituar. Partizani në çdo situatë të krijon vështirësi, edhe për shkak të traditës. Meriton respekt, nuk duhet të mendojmë për pikët, por organikën që ka”.

Leave A Comment