• Home
  • Partizani
  • Derbi për gjysmëfinalen e Kupës, Mehmeti jep kushtrimin publik për… tifozët

Derbi për gjysmëfinalen e Kupës, Mehmeti jep kushtrimin publik për… tifozët

“Arena Kombëtare” do të përcjellë nesër derbin e radhës të kryeqytetit, nga ora 18:00. Partizani dhe Dinamo do të “pëplasin brirët” aty në kuadrin e çerekfinales së kthimit të Kupës së Shqipërisë. Pra, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, nesër do të vendoset kush kualifikohet në gjysmëfinale.

Duke qenë se të dyja skuadrat janë shumë larg titullit dhe vendeve të para në Superiore, fitimi i Kupës së Shqipërisë kthehet në detyrim, si rruga më e shkurtër për të kapur Kupat e Europës. Duke bërë prognozën e përballjes me “nëndetësen”, trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, nënvizoi në konferencën për shtyp:

“Normalisht, fitorja e fundit ndaj Teutës ndikon pozitivisht dhe rrit entuziazmin në ekip, por na duhet ekuilibër. Me Dinamon është ndeshje specifike, nesër vendoset kualifikimi. Jemi munduar ta përgatisim ndeshjen në mënyrën e duhur. Kam një thirrje për tifozët tanë të zjarrtë, që të jenë në stadium, pasi i konsiderojmë pjesë të pandashme tonën, nuk ia dalim dot pa to.

Dinamos i kemi bërë vlerësimin e merituar. Duhet të japim maksimumin, të kemi ekuilibër. Nuk duhet të udhëhiqemi vetëm nga dëshira, por nga logjika, pasi janë 90 minuta të zjarrta. Nuk e kemi humbur betejën në kampionat, pasi janë edhe 51 pikë lojë. Ne jemi Partizani dhe do ta respektojmë garën, javë pas jave. Nesër do të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Më pas do të vlerësojmë çdo ndeshje në kampionat.

Partizani ka ndryshuar filozofinë e lojës, nuk ka pasur vazhdimësi. Luajtëm mirë me Teutën, kemi një frymë tjetër. Në ndeshjen e parë të Kupës me Dinamon, dominuam në pjesën e dytë. Në Laç luajtëm mirë, por humbëm. Me Kastriotin kemi vuajtur pak para portës. Ndeshjet nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Kemi pasur probleme dëmtimesh dhe virozash. Unë e bazoj lojën te grupi, jo tek individi. Te Partizani është treguar që edhe me mungesa, forca e grupit ka dalë mbi individin.

Në Kupat e Europës përmes titullit apo kampionatit? E shikojmë këtë javë pas jave situatën. Nuk e meritojmë të jemi në këtë pozicion në kampionat. Pas çdo ndeshjeje do të shikojmë edhe objektivin. Nuk mund të flasim për momentin për diçka të tillë”.

Leave A Comment