• Home
  • Seria A
  • “E treta e vërteta”; flet Pioli: S’kam qenë kurrë pesimist, edhe kur Milani nuk fitonte

“E treta e vërteta”; flet Pioli: S’kam qenë kurrë pesimist, edhe kur Milani nuk fitonte

Pak më shumë se 24 orë pas ndeshjes së kampionatit ndaj Sampdorias, Stefano Pioli iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp. Trajneri i Milanit e nisi nga rinovimi i Theo Hernandez, i zyrtarizuar në orët e fundit nga drejtuesit:

“Unë mendoj se është shenjë e mrekullueshme e një klubi që ka vizion për të tashmen dhe të ardhmen. Theo dhe Milan e donin fort rinovimin e kontratës, është një sinjal i rëndësishëm për të gjithë mjedisin këtu.

Të kemi lojtarë që e ndiejnë këtë fanellë, që kanë ndjenjën e përkatësisë, është gjë e madhe. Fakti që klubi planifikon të tashmen dhe të ardhmen do të thotë se Milani ka stabilitet, synon të kthehet në nivelet më të larta”.

Milani vjen nga dy fitore të rëndësishme, ajo në derbi dhe në Kupën e Italisë ndaj Lazios. Pioli thekson se nuk ka pasur asnjëherë mendime negative për skuadrën e tij, edhe pa rezultate: “Kurrë nuk ka pasur pesimizëm në Milanello, ne kemi punuar gjithmonë me besim.

Forca e grupit është të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe kur rezultatet nuk vijnë. Ne vazhdojmë të mendojmë nga ndeshja në ndeshje, jemi qartësisht të kënaqur me dy sfidat e fundit. Tani ka rëndësi vetëm ajo e së nesërmes, nevojitet përqendrim i madh”.

Kjo javë e Serie A mund ta afrojë ndjeshëm Milanin në krye të tabelës. Një eventualitet që nuk e tremb trajnerin kuqezi: “Përtej rezultateve të të tjerëve dhe ndeshjes sonë nesër, skuadra është shumë më e vetëdijshme dhe më e pjekur se një apo dy vite më parë.

Kjo është normale, jemi skuadër me shumë të rinj. Megjithatë, kemi fituar përvojë dhe jemi rritur. Skuadra e di këtë, çdo ndeshje ka një peshë të rëndësishme dhe duhet përballur me përqendrim dhe besim”.

Leave A Comment