• Home
  • Tenis
  • Gjykata Federale rrëzon Djokovic, tenisti serb braktis Australinë

Gjykata Federale rrëzon Djokovic, tenisti serb braktis Australinë

Me një vendim unanim, tri gjyqtarët e Gjykatës Federale të Australisë, kanë vendosur që tenisti serb Novak Djokovic duhet të braktisë Australinë. Numri 1 në botë për meshkuj ka humbur apelimin e dytë në gjykatat australiane dhe, për pasojë, duhet të braktisë këtë vend, duke mos luajtur dot në grand slam të Australian Open, që nis pas 24 orësh në Melburn.

Vendimi u mor rreth orës 08:00 të mëngjesit të së dielës me orën shqiptare (pasdite në Australi). Gjykata u shpreh se motivet e paraqitura nga avokatët e Djokovic ndaj vendimit të marrë nga Ministria e Emigrimit, që i mohoi vizën hyrëse, nuk janë bindëse. Në këtë mënyrë, tenisti serb humbi betejën për të luajtur në Australian Open, ku është kampion në fuqi.

Tenisti do të qëndrojë i ndaluar në izolim deri në largimin e tij nga Australia. Ai nuk ka marrë asnjë dënim tjetër edhe pse rrezikonte deri në 3 vite përjashtim nga ky shtet. Gjykata Federale i dha të drejtë Ministrisë së Emigrimit se “prania e Djokovic krijon probleme për shëndetin e publikut, pasi është i pavaksinuar”.

Tenisti serb duhej të luante nesër ndeshjen e parë në Australian Open (është kampion në fuqi), por tashmë detyrohet të kthehet në shtëpi. “Jam i zhgënjyer nga ky vendim. Tani do të kem më shumë kohë për t’u përgatitur dhe pushuar, para se të bëj komente të tjera për këtë çështje”, tha Novak Djokovic.

Leave A Comment