• Home
  • Bundesliga
  • Gullit “sponsorizon” mbrojtësin holandez te Bayerni, zbulon tri klubet e denja për Haaland

Gullit “sponsorizon” mbrojtësin holandez te Bayerni, zbulon tri klubet e denja për Haaland

Këshilla e legjendës. Ruud Gullit është një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e futbollit holandez. Ndër të tjera, ai fitoi dy Kupa Evropiane (me Milanin, më 1989 dhe 1990), një Kampionat Evropian (me portokallinjtë më 1988) dhe “Topin e Artë” më 1987.

I intervistuar nga “Bild”, ish-lojtari i Milanit donte të rekomandonte një nga bashkatdhetarët e tij, elementin kryesor aktual të kombëtares holandeze, për Bayern Munich. Fjala është për De Ligt: “Matthijs te Juve ka jetuar situata të paparashikueshme vitet e fundit dhe, rrjedhimisht, ka mësuar shumë. Në fushë dhe më gjerë”.

Pikërisht për këtë, sipas Gullit, bavarezët do të bënin mirë të mendonin për një blerje të mundshme të De Ligt, veçanërisht duke pasur parasysh që bavarezët rrezikojnë të humbasin Niklas Süle si transferim të lirë: “Te Bayerni, Matthijs do të bënte mirë dhe mund të jepte kontributin e tij, jam i bindur”.

Për momentin, emri i parë në listën e nënshkrimeve të Bayernit duket se është Rüdiger, i cili po ashtu është në skadim të kontratës me Chelsea. Për të mos harruar Ginter, i cili do të çlirohet nga Gladbach. Me pak fjalë, përpara se të mendojë për De Ligt, Bayerni do të provojë disa goditje falas.

Megjithatë, Gullit nuk u kufizua të fliste vetëm për De Ligt. Holandezi, gjithashtu tha fjalën e tij për disa nga sulmuesit më të mirë për momentin: “Unë e dua Lewandowski, isha i bindur se ai do ta fitonte ‘Topin e Artë’. U habita që nuk ia dhanë, edhe pse nuk mund të thuhet se është grabitur. Ai pati fatin e keq të luante në të njëjtën kohë me Cristiano Ronaldon dhe Messin. Kam ndjesinë se Robert nuk vlerësohet botërisht si dy të tjerët, është turp”.

Së fundi, një koment edhe për Haaland, i cili mund të largohet nga Dortmundi në verë, duke përdorur klauzolën e lirimit në kontratën e tij: “Sa i përket Haaland, e shoh mirë në Angli, por nuk mendoj se do të shkojë te Manchester United.

Manchester City do të ishte një zgjidhje e mirë për të, pasi aty do të gjente Guardiolën. Edhe Liverpool me Klopp do të ishte zgjedhje perfekte. Ajo që ka arritur Klopp me këtë klub është e pabesueshme. Ai është gjithmonë i uritur dhe kjo është perfekte për Haaland. Në Spanjë, vetëm Reali është një opsion i besueshëm. Këto janë 3 klubet që mund ta marrin atë”.

Leave A Comment