• Home
  • Basketboll
  • I shpërndanë fotot e Kobe Bryant dhe vajzës, pas aksidentit fatal. E veja në gjyq: Ndihem e shkatërruar, e lënduar dhe e tradhtuar

I shpërndanë fotot e Kobe Bryant dhe vajzës, pas aksidentit fatal. E veja në gjyq: Ndihem e shkatërruar, e lënduar dhe e tradhtuar

E veja e Kobe Bryant, Vanessa Bryant, akuzoi ashpër këtë të premte autoritetet për përhapjen e paligjshme të fotografive të trupave të copëtuar të ish-legjendës së Los Lakers dhe vajzës së tij Gianna (13 vjeçe), pasi humbën jetën në një aksident me helikopter.

“Ndihem e shkatërruar, e lënduar dhe e tradhtuar nga punonjësit e qarkut që zbuluan fotot”, – i tha ajo një gjykate në Los Angeles, duke shtuar se nuk i ka parë ende ato imazhe, sepse dëshiron t’i “kujtojë ashtu siç ishin në jetë”.

Këto deklarata erdhëngjatë ditës së tetë të gjyqit, pas padisë që gruaja ngriti kundër kontesë së Los Angeles, për shkak se disa oficerë policie dhe zjarrfikës shpërndanë foto të trupave të pajetë të Kobe dhe vajzës së tij.

Vanessa Bryant pretendon se viktimave iu është shkelur e drejta për privatësi dhe iu është shkaktuar “dhimbje e madhe të afërmve”, gjë për të cilat ajo kërkon kompensim financiar nga qarku, shuma e të cilit ende nuk është përcaktuar, por që sipas shtypit sportiv amerikan mund të arrijë “disa milionë dollarë”.

Veç kësaj, gjatë dëshmisë së saj, e veja e “Mamba” siguroi se jeton me stres emocional nga frika se ajo ose fëmijët e saj do të gjejnë “imazhe të tmerrshme të të dashurve të tyre në internet” në të ardhmen.

Në fakt, ajo nuk mundi t’i mbante lotët duke përshkruar se si duhej të largohej nga shtëpia në mënyrë që familja të mos e shihte të qante, kur ajo lexoi në një artikull në “Los Angeles Times” se fotot dyshohet se po përhapeshin në internet.

Kjo padi u ngrit së bashku nga Vanessa Bryant dhe Chris Chester, një i ve, i cili humbi gruan dhe vajzën e tij, gjithashtu 13 vjeç, në këtë incident të 26 janarit 2020, ku humbën jetën 9 persona.

Gjatë hapjes së gjyqit, javën e kaluar, avokati i Vanessa Bryant, Luis Li, argumentoi se fotot nuk janë bërë për ndonjë qëllim zyrtar të hetimit të aksidentit, por për t’u bërë “thashetheme vizuale” dhe për të poshtëruar viktimat: “Ato u ndanë në mënyrë të përsëritur me njerëz që nuk kishin absolutisht asnjë arsye për t’i marrë ato”.

Nga ana e saj, mbrojtja argumentoi se fotot nuk janë shfaqur në internet për dy vjet e gjysmë që nga aksidenti dhe se, për rrjedhojë, nuk do të kishte arsye të mendohej se diçka e tillë mund të ndodhte tani.

Ditët e fundit kanë marrë qëndrim edhe disa të përfshirë dhe versioni i tyre bazohet në faktin se tashmë kanë fshirë fotografitë e vendit të aksidentit dhe që i kishin ndarë me persona të tjerë. Avokatët e Qarkut të Los Angeles menduan se duke i fshirë përgjithmonë fotot, atyre iu garantohet se nuk do të dalin hapur.

Vitin e kaluar, Vanessa Bryant arriti një marrëveshje ekonomike me kompaninë e helikopterëve që ajo kishte paditur për aksidentin që vrau legjendën e Los Angeles Lakers, Gianna dhe shtatë të tjerë.

Në shkurt të vitit 2021, hetuesit pretenduan se piloti i helikopterit ishte i çorientuar për shkak të mjegullës dhe pohuan se nuk ndoqi protokollin e vendosur të pilotimit kur fluturonte në re të dendura.

Kobe Bryant është pikashënuesi i katërt më i mirë i të gjitha kohërave në NBA (33.643 pikë) dhe një legjendë për Los Angeles Lakers, me të cilët fitoi pesë unaza, duke shfaqur një shpirt të palodhur konkurrues.

Leave A Comment