• Home
  • Premier League
  • Klopp “i hedh karremin” Interit: Eshtë top në gjithçka, më i miri në Itali

Klopp “i hedh karremin” Interit: Eshtë top në gjithçka, më i miri në Itali

Nëntë pikë prapa, megjithëse me një lojë ende për t’u luajtur në krahasim me liderin Manchester City, “Reds” duken më të fokusuar në Champions League sesa në Premier League. Sigurisht që tituli kampion në Angli mbetet një objektiv i madh, por nëse skuadra e Guardiolës nuk ngadalëson ritmin, do ta kenë të pamundur të kuqtë, që të triumfojnë.

Pra, sytë në fushën europiane, për të tentuar finalen e tri viteve më parë, pas suksesit ndaj Tottenhamit. I mundur nga Real Madridi në “aktin” e fundit të 2018-ës dhe me trofeun në duar 12 muaj më vonë, Liverpool po punon për t’u rikthyer bindshëm në kontinent. Pengesa e parë e fazës eliminatore është Interi.

Klopp e bëri prognozën e sfidës së nesërme në “San Siro” në konferencën e zakonshme për shtyp, ku nënvizoi: “Çfarë ndeshjeje pres kundër Interit? Një ndeshje futbolli… Nëse do të arrijmë të dominojmë, do të jetë mirë. Interi do të mbrohet në mënyrë kompakte, do të luajmë kundër një ekipi shumë të fortë, më i miri në Itali. Zikaltrit janë ekip më i fortë se vjet, më të disiplinuar dhe të përgatitur mirë. Do të përballemi me një ekip të jashtëzakonshëm dhe do të duhet të luajmë një ndeshje të jashtëzakonshme.

Ne kemi zgjidhje të ndryshme, sigurisht, do të shohim se kush do të luajë. Të kesh 5 zëvendësime në dispozicion është një gjë e rëndësishme. Salah dhe Mane? Është mirë që ata luajtën menjëherë, janë dy forca të natyrës. Nuk kanë festuar shumë, edhe sepse nuk pinë alkool… Kanë pasur periudha të jashtëzakonshme rikuperimi, por nuk habitem se i njoh.

Liverpool favorit ngaqë i fitoi të gjitha ndeshjet e fazës së grupit? Historikisht, rezultatet e grupit nuk vlejnë për asgjë… Kuptohet, ishte bukur t’i fitonim të gjitha, nuk e mendoja se ishte e mundur. Megjithatë, është e kaluara. Do të duhet të përdorim përvojën tonë, e dimë që jemi ekip i fortë, por vlerësojmë edhe Interin. Do të jetë një ndeshje e vështirë.

Avantazh, ndeshja e pare në transfertë? Teorikisht, po, edhe pse padyshim varet nga rezultati. Është një gjë e mirë, por nuk e di nëse do të jetë një gjë vendimtare. Ne nuk varemi vetëm nga kjo. Gjendja e Henderson? Është mirë. Ai u kthye javën e kaluar dhe gjithçka është në rregull. Ka një plagë në gju, por është mirë”.

Leave A Comment