Kombëtarja e meshkujve në basketboll është mundur sot në mbrëmje 97-66 nga Bjellorusia, ndeshje e vlefshme për fazën para-eliminatore të Kampionatit Europian “Eurobasket 2021”. Kjo sfidë e luajtur në Minsk ishte e treta për kuqezinjtë në Grupin E, të trija të humbura, duke bërë që Shqipëria t’i thotë zyrtarisht lamtumirë këtij eventi.
Bjellorusi – Shqipëri, 97-66 (31-14, 19-13, 21-15, 26-24)
Që në periodën e parë vendasit konfirmuan epërsinë e tyre, duke u shkëputur dhe udhëheqin 31-14. Kjo e kthen sfidën në një formalitet në minutat e mbetura për vendasit edhe pse përpjekjet e lojtarëve të trajnerit Afrim Bilali nuk mungojnë, por pa forcën e duhur. Bjellorusia menaxhon mirë avantazhin e krijuar deri në fund, duke fituar lehtësisht.
Shqipëria: Gjeçi, Hamati (4), Hysa, Lilaj (3), Moore (16), Hysenagolli (6), D.Lekndreaj (13), Thano (1), Shestani (11), Shima (12), Strazimiri. Trajner: Afrim Bilali
Shqipëria ka ende edhe një ndeshje të fundit për të luajtur në këtë fazë para-eliminatore, para se të mbyllë aventurën e saj në “Eurobasket 2021”. Më 21 gusht, në Tiranë do të luhet ndeshja Shqipëria-Danimarkë, sfida e katërt dhe e fundit (salla e lojërave “Feti Borova”).
Kalendari i fazës para-eliminatore Eurobasket 2021
3 gusht, Shqipëri – Bjellorusi, 51-73
10 gusht, Danimarkë – Shqipëri, 95-73
14 gusht, Bjellorusi – Shqipëri, 97-66
21 gusht, Shqipëri – Danimarkë, ora 19:00 (Tiranë)
Kombetarja kuqezi para ndeshjes me Bjellorusine