Kombëtarja U-16 në basketboll për vajza ka zhgënjyer në Kampionatin Europian të Basketbollit të kësaj grupmoshe. Shqipëria mori pjesë në Divizionin B, ndeshjet e të cilit u luajtën në Sofie të Bullgarisë dhe u rendit në vendin e fundit, atë të 23-të.
Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajnerja Ledina Koçi, u mund në të 7 takimet e luajtura, si ato në grup ashtu dhe ato për renditje. Një rezultat jo fort i mirë, teksa disa nga humbjet ishin me shifra të frikshme, çka tregon për nivelin e basketbollit në vendin tonë.
Nga ndeshja Shqiperi-Bjellorusi
Shqipëria ishte në Grupin B, ku u mund nga Bjellorusia, Irlanda, Britania, Austria e Portugalia. Më pas erdhën edhe dy ndeshjet për renditje, por “muzika” nuk ndryshoi. Dy humbje, ndaj Bosnjës dhe Islandës, duke e renditur Shqipërinë në fundin e tabelës së renditjes.
Rezultatet teknike (Grupi B)
Shqipëri – Bjellorusi, 24-104
Shqipëri – Irlandë, 37-106
Shqipëri – Britani e Madhe, 47-84
Shqipëri – Austri, 42-83
Shqipëri – Portugali, 39-90
Vendet 17-23
Shqipëri – Bosnjë/Herzegovinë, 39-90
Vendet 21-23
Shqipëri – Islandë, 43-79