• Home
  • Tenis
  • Medvedev në finalen e Melburn, sfidë me Nadal për trofeun e Australian Open

Medvedev në finalen e Melburn, sfidë me Nadal për trofeun e Australian Open

Pas 2 orësh e 30 minuta lojë, tenisti rus Daniil Medvedev mundi 3-1 në gjysmëfinalen e dytë të Australian Open grekun Stefanos Tsitsipas, duke siguruar kështu një biletë për në finalen e së dielës. Përballë tij në këtë finale të madhe që do të luhet në Melburn do të jetë spanjolli Rafael Nadal, i kualifikuar më herët (fitoi 3-1 ndaj italianit Berrettini).

Një fitore disi e vështirë kjo për rusin, numri 2 në botë për meshkuj, që vuajti jo pak në dy setet e para ndaj Tsitsipas. Seti i parë u fitua 7-6 në “tie break” nga Medvedev, ndërsa rivali grek rikthen ekuilibrin në fushë, pasi triumfon 6-4 në setin e dytë.

Edhe seti i tretë ka disi rivalitet, por Medvedev arrin të fitojë një “game” me topat e kundërshtarit dhe krejt setin 6-4. Seti i katërt është formalitet për rusin, që fiton 6-1, duke u kualifikuar për herë të dytë në finalen e Australian Open.

Medvedev edhe vjet doli në finale, ku u mund nga Novak Djokovic, ndërsa këtë herë ka përballë një tjetër legjendë. Rusi, fitues i US Open vjet në gusht, synon të triumfojë edhe në këtë turne të madh, për t’u ngjitur në majën e renditjes botërore.

Leave A Comment