• Home
  • Skënderbeu
  • Memelli jep kushtrimin në Korçë, ja çfarë kërkon nesër ndaj Tiranës

Memelli jep kushtrimin në Korçë, ja çfarë kërkon nesër ndaj Tiranës

Në ndeshjen e fundit ndali me barazim kampionët e vendit në fuqi, Teutën. Nesër, për llogari të javës së 10-të të Superiores, që koincidon me startin e fazës së dytë, Skënderbeu do të presë në shtëpi bardheblutë kryeqytetas. 25 herë kampionët e vendit do të tentojnë triumfin në qytetin juglindor, ku pankinat janë të përziera.

Konkretisht, ish-portieri i kuqebardhëve, Orges Shehi, drejton Tiranën aktualisht; ndërsa Memelli, ish-sulmuesi i bardhebluve, drejton Skënderbeun. Duke llogaritur këtu edhe antagonizmin e skajshëm mes dy tifozërive, kjo përballje pritet të jetë e ndezur. Migen Memelli ka kërkuar ndihmën e tifozëve, që ta mbushin stadiumin plot, në përpjekjen për ta ndalur Tiranën kryesuese:

“Me Tiranën është një ndeshje e rëndësishme. Do doja t’i ftoja qysh në fillim qytetarët e Korçës dhe tifozët e Skënderbeut në stadium. Të vijnë sa më të shumtë, që ta mbështesin ekipin. Mos harrojmë se tejmbushja e stadiumit me tifozë na sjell lojtarin e 12-të dhe është një shtysë e jashtëzakonshme për lojtarët që të japin maksimumin.

Gjithmonë e kemi kërkuar mbështetjen e tifozëve. Skuadra nuk ka qenë në pritshmëritë e të gjithëve. Gradualisht po rritemi, kemi bërë paraqitje të mira. Dy rezultatet e fundit, bashkë me Kupën tre, kanë qenë të mira. Shpresojmë që edhe nesër, ndaj Tiranës, të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë.

Kemi edhe një seancë stërvitore sot, do shikojmë disa manovra se si do të sulmojmë dhe si do të mbrohemi. Pastaj do të vendosim se si do të sillemi nesër në fushë përballë Tiranës, një skuadër e vështirë, që deri në këto momente ka treguar cilësi dhe kualitet.

Di që skuadra ime është sjellë mirë në stërvitje, ka punuar shumë. Lojtarët janë të gatshëm, veç Elvi Berishës që ka pasur një infeksion të bajameve. Pjesa tjetër është në rregull. Synimi? Do tentojmë të marrim tri pikët, për këtë futemi në fushë çdo ndeshje.

E thashë edhe para ndeshjes me Teutën dhe u pa. Kishim guxim, edhe u gjendëm në disavantazh. Mund edhe të fitonim, por në fund duhet të pranosh rezultatin”.

Leave A Comment