• Home
  • Basketboll Vendi
  • Një tjetër amerikan dhe një rikthim, Vllaznia çmendet në merkaton e verës

Një tjetër amerikan dhe një rikthim, Vllaznia çmendet në merkaton e verës

Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj vijon të bëjë ligjin në merkaton e verës. Klubi shkodran, përmes postimeve në rrjetet sociale, ka konfirmuar në 24 orët e fundit afrimin e dy basketbollistëve.

I pari është basketbollisti amerikan Bryquis Perine, që vjen pas eksperiencës nga Iraku. Gjithsesi, 30-vjeçari ka luajtur edhe më parë në Europë (Suedi, Izrael, Angli e Hungari). Perine është 1.91 metra i gjatë, një basketbollist që pritet të bëjë diferencën në parket.

Bryquis Perinë, i cili mund të luajë në pozicionet 2 dhe 3, është amerikani i katërt që firmos për Vllazninë pas Nick Evans, Maurice Williams dhe Johnathan Hudson. Klubi shkodran e konsideron si një përforcim me shumë vlera, që do ta ndihmojë ekipin si në Superligë ashtu dhe në Ligën Ballkanike.

Te Vllaznia rikthehet të luajë edhe Robert Shestani, basketbollist i ekipit kombëtar. Ai ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me skuadrën kuqeblu, ku pritet të japë kontributin e tij. Lojtari shkodran ka marrë pjesë edhe në seancat e para stërvitore që zhvilloi në maj trajneri i ri i Vllaznisë, Nikolai Gospodinov.

Leave A Comment