• Home
  • Champions League
  • Pioli drejt Atletico Madridit: Është shansi ynë i fundit, Tomori s’është gati

Pioli drejt Atletico Madridit: Është shansi ynë i fundit, Tomori s’është gati

Stefano Pioli e beson këtë. Kualifikimi në fazën eliminatore të Champions League për Milanin e tij është i vështirë, por jo i pamundur. “Detyra ime është të stimuloj ekipin, por në këtë rast është e thjeshtë, – filloi trajneri kuqezi në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me Atletico Madrid. – Ky është shansi i fundit që kemi, e konsiderojmë si një mundësi të madhe”.

Shpenzimi i shumë energjive përpara Champions-it nuk shqetëson: “Skuadra është e përgatitur për këto gjëra. Deri tani na ka munguar gjithmonë diçka në Evropë, edhe nëse kemi treguar se jemi për këtë nivel. Do të na duhet një ndeshje perfekte, edhe pse për disa nga lojtarët tanë është hera e parë në këtë lloj angazhimi”.

Disa fjalë për kundërshtarin: “Atletico Madrid është një nga skuadrat që më së shpeshti e rikuperon rezultatin në minutat e fundit. Kjo tregon vëmendjen që lojtarët i kushtojnë lojës deri në vërshëllimën e fundit. Megjithatë, edhe ata mund të ndëshkohen në fund, siç ndodhi në barazimin 3-3 kundër Valencia. Thjesht, ndeshjet nuk mbarojnë kurrë para bilbilit të fundit. Atletico ka një qëndrueshmëri mbresëlënëse si ekip”.

Tomori u stërvit veçmas në mëngjes: “Romagnoli, megjithatë, është gati të luajë që në minutën e parë. Sa për lojtarët në dispozicion, do të jemi njësoj si në Firence, plus Daniel Maldini. Tomori nuk është gati, do të shohim nëse mund të rikuperohet për të dielën”.

Humbja në Firence nuk duhet të lërë gjurmë dhe as kërkohen justifikime: “Kemi humbur ndaj Fiorentinës sepse në dy zonat e penalltisë kishim më pak cilësi se zakonisht. Nuk është çështje fizike dhe as mendore”.

Kriteret me të cilat do të zgjedhë formacionin: “Pa Rebic kemi vetëm tre lojtarë realisht sulmues, Leao, Ibrahimovic dhe Giroud. Zakonisht hedhim të paktën dy sulmues në fushë. Vlerësimi i parë që do të bëj do të jetë fizik. Pastaj mendoj për zgjedhjet taktike”.

Leave A Comment