• Home
  • Champions League
  • Pioli ndez atmosferën: Nesër kundër Liverpool-it do të tregojmë sa vlejmë

Pioli ndez atmosferën: Nesër kundër Liverpool-it do të tregojmë sa vlejmë

Milani ndodhet para sprovës së madhe. Nesër do të sfidojë Liverpool-in në “San Siro”, në ndeshjen e fundit në grup të Ligës së Kampionëve. Fitorja në “Wanda Metropolitano” bëri që kuqezinjtë ta mbajnë ende gjallë shpresën për t’u kualifikuar më tej në këtë kompeticion. Megjithatë, faza e grupit kalohet vetëm duke fituar vetë dhe dalë barazim Porto me Atletico Madridin. Ndërkohë, “Reds” janë kualifikuar tashmë si kokë grupi.

Në konferencën për shtyp, në prag të kësaj sfide ku “Djalli” do të luajë për gjithçka ose asgjë, trajneri Stefano Pioli nënvizoi:  “Duket si ndeshja në Bergamo, kur siguruam kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Kemi luajtur të tjera ndeshje që janë kaq delikate dhe të rëndësishme, jam i sigurt se do të luajmë edhe në vazhdim. Është shumë e rëndësishme, e kemi përgatitur duelin me Liverpool deri në detajin më të vogël, edhe pse në një kohë të shkurtër. Ne e njohim mirë kundërshtarin e nesërm.

Nuk do të jetë vetëm Ibra, ai që do të luajë përpara. Do të duhet të jemi të paparashikueshëm, kemi mësuar shumë nga ndeshja e parë, e dimë mirë intensitetin dhe shpejtësinë e Liverpool-it. Jemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht, do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë. Po punojmë për lëndimet, kjo bën ndryshimin. Është e qartë se të luash shumë është një shkak dëmtimesh, por vlen për të gjithë, duhet të jemi më të kujdesshëm.

Në ndeshjen e parë kemi vuajtur presionin e kundërshtarit, kemi lëvizur pak pa top. Ata do të na sulmojnë, por tashmë kemi njohuri për hapësirat dhe pozicionet, si ta kapërcejmë presionin e parë. Nëse ia dalim, hapësirat do të krijohen për të nxjerrë në pah cilësitë tona.

Krunic si 9 fals? Mund të jetë një zgjidhje, duhet të kemi shumë lojtarë ofensivë, nuk ka rëndësi një referencë fikse. Krunic, Diaz, Messias dinë të lëvizin në hapësira, do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë.

Si trajner kam bindje për dy gjëra: ne jemi të fortë, edhe ata janë shumë të fortë. Ne duam të konkurrojmë me ta dhe të përpiqemi të fitojmë. Fitorja duhet të kalojë përmes sakrificës, vendosmërisë dhe qartësisë taktike e teknike. Nëse shkojmë në ‘Europa League’? Mendojmë vetëm për të nesërmen. Duam të jemi konkurrues në Evropë, nëse e bëjmë në Champions do të jemi të lumtur, nëse jo do ta bëjmë në Ligën e Evropës”.

Së fundi, një konsideratë për përfitimet e mundshme që mund të sjellë eliminimi nga Champions-i në nivelin e energjisë më të madhe për t’u përqendruar te Serie A: “Sezonin e kaluar, Interi ka pasur një fazë të dytë të mrekullueshme dhe shumë kanë dhënë arsye mungesën në Kupat e Europës. Nuk e di, ndoshta cilësitë e tyre do t’i kishin lejuar të bëjnë të njëjtën gjë. Ne po mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme.

Synimi i klubit është të rikthehet në nivelin më të lartë konkurrues. Nëse kthehemi në ‘Europa League’ do t’i përballojmë të gjitha garat në mënyrën më të mirë të mundshme, por ajo që ka rëndësi është ndeshja e nesërme. Duam të përballemi denjësisht me një ekip që është ndër më të mirët në botë. Ndaj Liverpool-it do të kuptoni se deri ku kemi arritur, sa vlejmë si ekip”.

Leave A Comment