• Home
  • Tenis
  • Rafael Nadal një legjendë, fiton Australian Open dhe shkruan historinë

Rafael Nadal një legjendë, fiton Australian Open dhe shkruan historinë

Tenisti spanjoll Rafael Nadal fitoi sot grand slam të Australian Open. Ai mundi 3-2 në finale rusin Daniil Medvedev (2-6, 6-7, 6-4, 6-4, 7-5). Një fitore me përmbysje e spanjollit, që arriti të rikuperojë një disvantazh prej dy setesh, për të triumfuar në fund 3-2, pas 5 orësh e 25 minutash lojë në Melburn.

Kjo është hera e dytë që Nadal fiton këtë grand slam (hera e parë në vitin 2009), por mbi të gjitha ai arrin kuotën e 21 grand slam të fituar në karrierë, si askush tjetër, duke shkruar historinë. Pavarësisht moshës (36 vjeç), ai arriti të tregojë grintë e karakter në fushë, duke mos hequr dorë edhe kur fitorja dukej një “mision i pamundur”.

Medvedev e nisi mirë ndeshjen, duke e dominuar atë në setin e parë, ku fiton 6-2. Në të dytin gjithçka vendoset në “tie break”, me rusin që fiton 7-6. Mjaft i ekuilibruar edhe seti i tretë, me Nadal që fiton një “game” me topat e kundërshtarit dhe krejt këtë set 6-4, duke rihapur ndeshjen.

Nadal nuk e ul ritmin dhe arrin të përsëritë në setin e katërt atë që bëri më herët, duke fituar sërish 6-4. Barazim 2-2 me sete dhe gjithçka vendoset në setin final, ku është spanjolli, që i karikuar nga dy setet e fundit, dominon në fushë. Nadal fiton 7-5 e krejt takimin 3-2, duke realizuar atë që dukej e pamundur një muaj më parë.

Edhe vetë Nadal nuk besonte se do të arrinte deri këtu, duke bërë një turne të jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha duke fituar një finale që dukej e humbur përballë numrit 2 në botë. Spanjolli tregoi se është më i miri në histori. Pasi realizoi pikën e fundit, qeshte dhe nuk besonte se kishte fituar, duke fesuar si i çmendur në stadium.

Leave A Comment