Sh.K.B.Tirana fiton finalen e parë play off ndaj “Tiranës tjetër”

Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet u luajt sot në mbrëmje finalja e parë e play off-it në basketboll për femra midis Sh.K.B.Tiranës dhe Sh.B.Tiranës, me të parën që fitoi 69-63. Falë këtij suksesi, Sh.K.B.Tirana udhëheq 1-0 serinë e takimeve.

Një ndeshje në përgjithësi e dominuar nga skuadra e trajnerit Erdal Borova, që arriti të shkëputej deri në 14 pikë dhe e meritoi fitoren. Gjithsesi, fundi i takimit ishte mjaft i tensionuar dhe me emocione, ku nuk munguan edhe polemikat.

Një derbi mjaft i bukur ky mes dy “Tiranave” që dueluan fort për fitore dhe për t’i nisur mbarë këto finale. Të dyja skuadrat në përgjithësi mbrojtën mirë edhe pse gabimet në gjuajtje ishin të shumta, cka duket edhe te pikët e shënuara.

Frika e humbjes bëri që loja të mos shkonte në atë nivel që pritej. Gjithsesi, Sh.K.B.Tirana merr një fitore me shumë vlera dhe e nis mbarë këtë seri të finaleve, ku kampion shpallet ekipi që fiton 3 nga 5 finalet e planifikuara.

Leave A Comment