Shqipëri-Kosovë, vëllazërore me rastin e Ditës së Flamurit

28 nëntori është shpallur ditë pushimi edhe në Kosovë nga Kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj, ngaqë konsiderohet festa e flamurit. Dhe shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, kudo ku jetojnë, kanë një simbol përbashkues, flamurin kuqezi. Në kuadrin e festimeve të shumta të 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të ketë edhe aktivitete sportive. Njëra prej tyre do të vërë përballë përfaqësuesen kuqezi të basketbollit për meshkuj dhe homologen kosovare. Ndeshja në fjalë do të luhet në Shkodër, të enjten e ardhshme, nga ora 17:00. Përzgjedhja e lojtarëve të dy skuadrave do të jetë në dorë të dy trajnerëve, kryesisht nga kampionatet respektive. Kosovën do ta drejtojë Bujar Loci. 

Ftesa për një miqësore (vëllazërore) të tillë më 28 nëntor është bërë nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe është pranuar menjëherë nga “Dardanët”. Granit Rugova, në emër të Kosovës, ka konfirmuar: “Ne e kemi pranuar me kënaqësi ftesën nga Federata Shqiptare e Basketbollit që të zhvillojmë këtë ndeshje vëllazërore, ku rezultati është në plan të dytë. Gjithmonë kemi pasur bashkëpunim të mirë me Federatën Shqiptare, çka do të thellohet edhe më shumë. Për shkak të orarit, ekipi i Kosovës do të përbëhet nga lojtarët e Superligës, ndërsa trajner do të jetë Bujar Loci”.

Leave A Comment