Janë të shumtë lojtarët që do të mbeten pa kontratë verën e ardhshme. Një nga ata është edhe mesfushori i Milan-it, Franck Kessie, i cili premtoi verën e kaluar se do ta nënshkruante marrëveshjen e re me kuqezinjtë, por nuk e ka bërë akoma.
Mesfushori kërkon rreth 8/10 milionë euro neto në sezon për të hedhur firmën. Në Itali pëlqehet shumë nga Inter-i dhe Juventus-i, por nuk janë këto skuadrat favorite për të siguruar shërbimet e tij. Klubi më afër lojtarit është Barcelona, por duhet bërë kujdes edhe nga Tottenham dhe PSG.
Në Angli është konfirmuar interesimi nga ana e Spurs-ave për Kessie. Fabio Paratici dhe Antonio Conte do të vazhdojnë të peshkojnë në Serinë A. Janarin e kaluar kanë marrë Kulusevski dhe Bentancur nga Juventus.
Trajneri italian e donte Kessie që në kohën kur ishte në drejtim të Inter-it dhe do të bëjë gjithçka është e mundur ta marrë në Londër. Megjithatë, Kessie mund të mos jetë goditja e fundit me kosto zero e Tottenham-it.
Sipas TeamTalk, londinezët janë gati të hidhen në sulm edhe për Paulo Dybala. Sulmuesi i Juventus-it nuk e ka rinovuar akoma kontratën me bardhezinjtë, pavarësisht optimizmit të shprehur në muajt e kaluar dhe Tottenham është gati të përfitojë.
Spurs po mendojnë edhe për Jesse Lingard, i cili nuk do ta rinovojë kontratën e tij me Manchester United.