Spanjë-Gjermani, “luftë” e ashpër për kreun e grupit

Spanja e Luis Enrique do të përballet me Gjermaninë e Joachim Löw në xhiron e 6-të dhe të fundit të Grupit 4 të Ligës së Kombeve. Ndeshja do të jetë vendimtare për të përcaktuar kreun e grupit dhe kush do të hyjë në fazën finale, e cila do të luhet në tetor 2021.

Bilanci është i një ekuilibri të madh në 24 ndeshjet zyrtare, që janë luajtur deri më tani midis dy ekipeve kombëtare. Mbizotëron, megjithëse fare pak, Gjermania me 9 fitore, 8 barazime dhe 7 humbje. Në renditje, para ndeshjes së fundit të grupit, “La Roja” janë në vendin e dytë, me 8 pikë, me gjermanët në epërsi (9 pikë) dhe Ukrainën me 6 pikë. Zvicra pozicionohet e fundit me 3 pikë.

Sergio Ramos është shënuesi më i mirë i Spanjës në Ligën e Kombeve me 2 gola të shënuar, ndërsa Timo Werner është kryesulmuesi gjerman, me 4 gola në llogarinë e tij. Kujtojmë se Spanjë-Gjermani do të luhet në mbrëmjen e së martës, 17 nëntor 2020, në skenën e stadiumit olimpik në Seville.

Luis Enrique pritet të startojë me De Gea midis shtyllave dhe para tij, një linjë mbrojtëse me Pau Torres dhe Sergio Ramos në mes, Sergi Roberto në të djathtë dhe Reguilón në të majtë. Në mesfushë Busquets mund të preferohet në rolin e “drejtorit” ndaj Rodri, me Fabian Ruiz dhe Canales në të dyja anët. Përpara, Morata mund të fitojë vendin e tij si titullar, ndërsa Ferran Torres dhe Dani Olmo janë kandidatë për këtë repart.

Löw duhet të konfirmojë një pjesë të madhe të formacionit të parë kundër Ukrainës, me 4-3-3. Ginter dhe Max janë kandidatët e vetëm në korsitë e prapavijës, në qendër konfirmohen Süle dhe Rüdiger, përpara Neuer. Kimmich i dëmtuar, Kroos kthehet në mesfushë në vend të Koch, bashkë me Goretzka dhe Gündogan. “Tridenti” sulmues ime Sané, Werner dhe Gnabry.

Ja formacionet e mundshme:
SPANJA (4-3-3): De Gea; Sergi Roberto, Pau Torres, Sergio Ramos, Reguilón; Fabian Ruiz, Busquets, Canales; Dani Olmo, Morata, Ferran Torres.
GJERMANIA (4-3-3): Neuer; Ginter, Süle, Rüdiger, Max; Goretzka, Kroos, Gündogan; Sané, Werner, Gnabry.

Leave A Comment