• Home
  • Champions League
  • Tani ose kurrë, flet Pioli: Pres shumë nga skuadra, Milani nuk meriton zero pikë

Tani ose kurrë, flet Pioli: Pres shumë nga skuadra, Milani nuk meriton zero pikë

Tani ose kurrë! Stefano Pioli e di shumë mirë se shpresat e mbetura të kuqezinjve për ta kaluar fazën e grupeve të Champions-it kalojnë nga ndeshja kundër Portos. “Unë pres shumë nga ekipi, – tha ai në konferencën për shtyp nga Milanello. – Tifozët tanë janë të pakënaqur me ecurinë e deritanishme në Europë, nesër, më në fund kemi mundësinë t’u japim atyre kënaqësinë e suksesit”.

Pas Portos është derbi, por trajneri i kuqezinjve nuk mendon për të, për momentin: “Nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër, përveç ndeshjes së nesërme, sepse është një udhëkryq themelor. Kemi bërë gabime në disa situata në ndeshjen e parë, gjithmonë vlen të mësosh nga gabimet e tua”.

Edhe për arbitrat, Pioli flet shkurt: “Në Romë fituam sepse luajtëm më mirë se rivali, në Porto humbëm sepse luajtëm më keq. Nuk i kontrolloj dot situatat e tjera, jemi të fokusuar te puna”.

Kundërshtari i nesërm ka treguar se di ta vërë “në litarë” Milanin: “Ne mendojmë se nuk meritojmë të kemi zero pikë në renditje. Porto është një ekip më shumë përvojë, i fortë dhe i vështirë. Në ndeshjen e parë, përveç Luis Diaz, menaxhimi i topit na vuri në vështirësi. Këtë herë do të duhet të jemi më të mirë në kapërcimin e presionit të tyre, sepse kjo do të na japë më shumë besim”.

Për komplimentet e Maldinit para Roma-Milan dhe rinovimin e kontratës, trajneri kuqezi shtoi: “Jam i lumtur që më njihet cilësia e punës që kam bërë, jam i sigurt që mund të vazhdojmë të punojmë mirë së bashku. Krahasimi me Guardiolën për mënyrën se si e menaxhoj skuadrën? Mësoj pak nga të gjithë, por Pepin e konsideroj më të mirin”.

Leave A Comment