• Home
  • Basketboll Vendi
  • Teuta i prish festën Goga Basket, titulli kampion vendoset në finalen e pestë

Teuta i prish festën Goga Basket, titulli kampion vendoset në finalen e pestë

Teuta fitoi sot në mbrëmje 81-71 ndaj Goga Basket në finalen e katërt të play off-it në basketboll për meshkuj, duke barazuar 2-2 serinë e takimeve. Në “Ramazan Njala” të Durrësit u luajt sot një tjetër ndeshje dramatike, me emocione dhe rivalitet mes dy ekipeve durrsake, që dueluan deri në fund për fitoren.

Suksesi i Teutës ishte i merituar, pasi pati një epërsi të lehtë që në periodën e parë, avantazh të cilin e ruajti deri në fundin e lojës. Goga Basket shpërdoroi sot rastin e parë për të fituar një titull historik, por tashmë gjithçka do të vendoset në finalen e pestë dhe të fundit, që do të luhet më 15 maj në mjediset e Akademisë Goga.

Ndeshja nis me një epërsi të lehtë të Teutës, e cila krijon një epërsi prej 5 pikësh në 10-minutëshin e parë, 23-18. Në çerekun e dytë Goga nis të rikuperojë, por jo mjaftueshëm, pasi shpejt Teuta merr masat dhe komandon në fushë. Diferenca shkon në 13 pikë në fund të pjesës së parë, 48-35.

Loja mbetet e hapur edhe në 20 minutat e dyta, pasi Goga Basket hera-herës ngushton shifrat, madje deri në 5 pikë, 66-61, por pa mundur t’i përmbysë ato. Teuta luan e qetë dhe e mbështetur nga një tifozeri e zjarrtë arrin të shkëputet sërish dhe të fitojë 81-71. Për t’u theksuar një moment tensioni para fillimit të periodës së katërt, kur tifozët hodhën sende në fushë.

Për Teutën, ky është edicioni i dytë radhazi që shkon në finalen e pestë të play off-it. Një vit më parë, Tirana fitonte 3-2 serinë e finaleve ndaj Teutës, që këtë vit ka rastin të triumfojë. Gjithsesi, ndeshja e pestë luhet në shtëpinë e Goga Basket.

Basketboll – Meshkuj, finale play off

Ndeshje 1, Goga Basket – Teuta, 84-88

Ndeshje 2, Teuta – Goga Basket, 72-73

Ndeshje 3, Goga Basket – Teuta, 79-70

15 maj, Teuta – Goga Basket, 81-71

19 maj, Goga Basket – Teuta, ora 18:00 (Akademia Goga)

*Barazim 2-2 me ndeshje midis Teutës dhe Goga Basket në serinë e finaleve

Leave A Comment