• Home
  • Shqipëria
  • “Uzuni Day” te Granada, prezantohet shqiptari: Mrekulli që e nisa ndaj Real Madridit!

“Uzuni Day” te Granada, prezantohet shqiptari: Mrekulli që e nisa ndaj Real Madridit!

Në fakt, luajti titullar qysh ndeshjen e parë ndaj Real Madridit, pas nënshkrimit me klubin e ri në La Liga, ditën e fundit të merkatos së dimrit. Megjithatë, sot u bë prezantimi zyrtar i Myrto Uzunit te Granada. Pasi pozoi në stadiumin “Nuevo Los Cármenes”, futbollisti shqiptar tregoi para mediave emocionet e këtij hapi të madh në karrierë: “Falënderoj Pep, Patricia, David dhe Rober që më besuan. Jam shumë i lumtur që po nis këtë fazë të re në karrierë”.

Për sa iu përket njohurive paraprake për Granada, klubin e ri, Uzuni siguroi: “Garon në një nga ligat më të mira në botë, aq mjafton për të kuptuar se ku jam. Për më tepër, Granada e kisha njohur tashmë qysh kur luajti në “Europa League” kundër Teutës. Një nga miqtë e mi më të mirë është Rey Manaj dhe e pyeta për ekipin”.

Ai foli edhe për debutimin e tij në stadiumin e Real Madridit: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër lojtarëve me cilësi të lartë. Por të luaja në ‘Santiago Bernabéu’ ishte një ëndërr e realizuar. Ajo që më ka bërë më të lumtur është dhënia e minutave në atë sfidë. Dua të vazhdoj kështu, duke punuar shumë në stërvitje”.

Sa iu përket dallimeve mes futbollit spanjoll dhe atij hungarez, ku ai luajti së fundi për Ferencváros, sulmuesi shqiptar nënvizoi: “Shumë gjëra ndryshojnë. Liga spanjolle është një nga më të mirat në botë. Do të përpiqem të jap më të mirën këtu. Gjithmonë përpiqem të besoj në veten time dhe të jem i përgatitur. Më tej është vendimi i trajnerit se kush do të luajë. Nuk dua të krahasohem me askënd, te Granada ka futbollistë shumë të mirë”.

Uzuni tregoi se si shokët e skuadrës, ashtu edhe stafi teknik po ia bëjnë shumë të lehtë përshtatjen qysh në ditët e para: “Më kanë pritur mjaft mirë, të gjithë janë njerëz shumë pozitivë. Mentaliteti im është gjithmonë të jap më të mirën e mundshme. Do të luftoj në maksimum për këtë fanellë”.

Në fund, disa fjalë edhe për Robert Moreno: “Ai është një nga trajnerët më të mirë që kam takuar; analizon gjithçka shumë mirë, si stërvitjet, ashtu edhe ndeshjet. Mendoj se do të më bëjë të rritem si futbollist”.

Leave A Comment