Vijon skandali, sërish dyert të mbyllura për kombëtaren e basketbollit

Kombëtarja e meshkujve në basketboll vijon të mos stërvitet në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet, pas përplasjes mes Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Agjensisë së Parqeve të Rekreacionit (APR), që e ka në menaxhim këtë sallë. APR nuk lejon kombëtaren e koshit të stërvitet aty për shkak të pagesës, ndërkohë që FSHB thotë se nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë për një sallë sporti që i përket ekipeve kombëtare.

Ekipi kombëtar ka zbarkuar sërish sot pasdite në mjediset e Parkut Olimpik për stërvitje, ku dhe ndodhet salla e lojërave me dorë “Feti Borova”, por dyert e saj kanë qenë të mbyllura. Për pasojë, ekipi është larguar pa u stërvitur dot aty. Kjo situatë ndodhi edhe 10 ditë më parë, kur kuqezinjtë nuk u lejuan të stërviten, çka solli një përplasje mediatike mes FSHB-së dhe APR-së.

Kjo sallë sportive, që mban emrin e një ikone të basketbollit, duket se është kthyer në një “mollë të ndaluar” për këtë sport. Ndërkohë që, më 21 gusht, Shqipëria do të presë në këtë sallë skuadrën e Danimarkës, në ndeshjen e fundit të fazës para-eliminatore të “Eurobasket 2021”. Kjo ka detyruar kuqezinjtë që të gjejnë një vend tjetër për t’u stërvitur sot pasdite, por polemikat vazhdojnë.

Leave A Comment