• Home
  • Champions League
  • Vjen Manchester United, flet Gasperini: Sfidë e rëndësishme por jo vendimtare

Vjen Manchester United, flet Gasperini: Sfidë e rëndësishme por jo vendimtare

Një ndeshje shumë e rëndësishme për Atalantën. Skuadra e Gasperini, e cila sapo ka barazuar në shtëpi ndaj Lazios në kampionat, do të presë të martën në mbrëmje Manchester United. Një sfidë shumë e rëndësishme në funksion të kualifikimit në 1/8 finale të Champions League.

Në fakt, zikaltrit aktualisht janë të tretët në renditjen e Grupit F, me 4 pikë, aq sa Villarreal, me 2 pikë prapa liderëve të “Djajve të Kuq”. Gian Piero Gasperini, në konferencën e zakonshme për shtyp, nuk e fshehu rëndësinë e përballjes me anglezët.

“Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, ku vlen vetëm fitorja. Me rezultate të tjera, gjërat nuk do të ndryshonin shumë. Ne e dimë që na nevojiten edhe 6 pikë për të kaluar fazën e grupeve. Prandaj, nesër do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme, por jo vendimtare”.

Gjatë viteve të fundit, Atalanta shpesh ka takuar lojtarë super të mëdhenj në Champions: “Ne u përballëm me Manchester City dhe Liverpool-in, kur ishin tashmë skuadra të organizuara dhe të konsoliduara, por Manchester United ende më duket se është një ekip në ndërtim. Ata kanë ende gjëra për të rregulluar, por kanë gjithashtu një potencial të konsiderueshëm”.

Trajneri zikaltër është ndalur te kushtet e disa lojtarëve të tij: “Demiral dhe Palomino nuk kanë probleme, edhe Djimsiti po stërvitet me grupin. Ai është duke u përmirësuar, por ende nuk e lëviz krahun me lehtësi të plotë. Për këtë arsye nuk është në gjendje të dalë në fushë nesër. Toloin do ta rikuperojmë pas pushimit, ndërsa Pessina është shumë pranë rikthimit. Edhe rikuperimi i Gosens po përparon shumë mirë”.

Gasperini pret një ndeshje ndryshe nga ajo e “Old Trafford”: “Personaliteti i shfaqur para 70 mijë njerëzve spikat nga ajo ndeshje. Në disa momente bëmë shumë mirë, në disa të tjera vuajtëm”.

Në Bergamo, Cristiano Ronaldo do ta shohë veten sërish si protagonist në Itali: “Për kampionatin tonë ishte një vlerë e shtuar, më erdhi keq që e pashë të rikthehej në Angli, sepse do t’i doja gjithmonë lojtarët më të mirë në Itali. Manchester United i tij po kërkon ekuilibrin më të mirë, por mbetet një ekip i jashtëzakonshëm, që mund të bëjë edhe gjëra të mëdha”.

 

Leave A Comment