• Home
  • Tjera
  • Vllaznia e Femrave prek historinë, tani në 32 më të mirat e Europës! “Gjithë futbolli shqiptar është krenar për këtë skuadër”

Vllaznia e Femrave prek historinë, tani në 32 më të mirat e Europës! “Gjithë futbolli shqiptar është krenar për këtë skuadër”

Kampionia e Shqipërisë për femra, Vllaznia ka debutuar me sukses në aventurën e saj europiane, duke u kualifikuar kështu për në raundin “play-off” të UEFA Women Champions League.

Vajzat kuqeblu arritën të mposhtnin me rezultatin 1-0 kampionen e Sllovakisë, Spartak Myjava, duke siguruar kështu një biletë për në turin vendimtar, ku luhen shanset e mëdha për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për klubet në Europë.

Ndeshja u zhvillua në fushë neutrale, në Petrovac të Malit të Zi, ndërsa golin vendimtar të këtij dueli e realizoi Jehona Shala në minutën e 44-t. Përtej fitores, Vllaznia e femrave zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, duke dominuar vazhdimisht lojën përgjatë 90 minutave e duke dalë triumfuese.

Vllaznia e kaloi sërish turin ashtu si edhe sezonin e kaluar ku u eliminua në fazën finale të kualifikueseve nga Juventusi, teksa tashmë ekipi shkodran do të presë shortin e 1 shtatorit për të mësuar kundërshtarin e radhës.

Nëse kampionia e Shqipërisë do të kalonte fazën “play-off”, që luhet me sistem vajtje-ardhje, atëherë do të shkruante historinë si skuadra e arë shqiptare për femra që luan në fazën në grupe të UEFA Women Champions League.

Pas këtij suksesi edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur krenarinë për suksesin e Vllaznisë, që kualifikon vajzat shkodrane në 32 skuadrat më të mira të Europës.

“Një arritje që na bën të gjithëve krenar për investimin që kemi bërë për futbollin e vajzave në këto vite dhe në të njëjtën kohë na nxit që të punojmë akoma më shumë. Gjithë futbolli shqiptar është krenar për këtë skuadër”, – u shpreh Presidenti Duka në mesazhin e tij.

Leave A Comment