• Home
  • La Liga
  • Zhvlerësimi i çmendur i Hazard; vlen 132 milionë më pak se më 2019. Çdo gol i tij kushton… 25 milionë euro

Zhvlerësimi i çmendur i Hazard; vlen 132 milionë më pak se më 2019. Çdo gol i tij kushton… 25 milionë euro

6 gola në 62 ndeshje, plus një seri dëmtimesh që kanë kufizuar shumë përdorimin e tij. Ndikimi i Eden Hazard te Real Madridi nuk ishte aq sa pritej kur “Casa Blanca” vendosi ta blinte atë për 100 milionë euro më 2019. Madje shkoi edhe më keq kur filluan të dalin shifrat që sipas gazetave spanjolle janë shpenzuar vërtet për belgun: 150 milionë euro në total, plus rroga e numrit 7.

Në fund të fundit, dikush mund të thotë: kjo ishte vlera e tregut e numrit 10 të atëhershëm te Chelsea, që sapo kishte kontribuar në triumfin e skuadrës së Sarrit në “Europa League”. Është për të ardhur keq që që nga ajo ditë, 19 qershor, gati tri vite më pas, vlera e tregut e Hazard sipas Transfermarkt është zhvlerësuar totalisht. Në atë kohë, faqja e famshme e transfertave e vlerësonte atë pikërisht sa pagoi Real Madridi, 150 milionë.

Tani, me vlerat e përditësuara së fundi, belgu ka rënë në vetëm 18 milionë. Një zhvlerësim prej 132 milionë eurosh, praktikisht gati 90% e totalit të shumës së shpenzuar për të nga Florentino Perez. Edhe krahasuar me përditësimin e parë si futbollist i “Los Blancos” në dhjetor 2019, që e vlerësonte 120 milionë euro, tani numri 7 vlen 100 milionë më pak. Jo saktësisht përkufizimi i një marrëveshjeje të mirë.

Sidomos duke pasur parasysh se belgu duhej të zëvendësonte në imagjinatën kolektive të tifozëve të Realit një yll si Cristiano Ronaldo, të cilit edhe i mori fanellën. Megjithatë, shifrat, si ato brenda dhe jashtë fushës, tregojnë një histori tjetër. Për keq, mund të thuhet se secili nga 6 golat e tij i kanë kushtuar “Los Blancos” shumën e 25 milionë eurove.

Ndërkohë nuk kanë munguar kritikat, si gjithmonë për peshën e lojtarit, i cili herë pas here të jep përshtypjen se nuk është tamam në top-formë. Si Zidane, ashtu edhe Ancelotti së fundi, kanë deklaruar gjithmonë se kanë një konsideratë të madhe për ish-in e Chelsea, por në Madrid janë të bindur se nuk ishte një ide e mirë për ta sjellë në “Bernabeu”.

Leave A Comment