• Home
  • Champions League
  • Bergamo, si një makth për Ronaldon. Pankina e parë me Juven dhe Atalanta e “patretshme”

Bergamo, si një makth për Ronaldon. Pankina e parë me Juven dhe Atalanta e “patretshme”

Cristiano Ronaldo është kthyer në Itali. 67 ditë pas lamtumirës së tij nga Juventusi, sulmuesi portugez ka mbërritur në Bergamo, ku sonte do të përballet me Atalantën në “Gewiss Stadium”, në xhiron e katërt të fazës së grupeve të Champions-it.

Rikthimi në tokën italiane nuk e la indiferent Ronaldon, i cili dje publikoi një postim në në Instagram, ku shprehte të gjitha emocionet e tij, për herë të parë pas lamtumirës së papritur nga bardhezinjtë, më 26 gusht:

“Kthehem në Itali, një vend që më ka pritur aq mirë mua dhe familjen time, një vend që do të mbetet përgjithmonë në zemrën time. Nga përvoja e di që nuk është kurrë e lehtë të luash në Bergamo kundër një ekipi si Atalanta, por ne do bëjmë më të mirën për të mbajtur vendin e parë në grup. Kjo është Liga e Kampionëve dhe ne jemi Manchester United! Jemi në vendin që meritojmë”.

Bergamo dhe Atalanta, sërish dalin si pengesa në rrugën e Cristiano Ronaldos. Kujtime të hidhura për portugezin ndaj ekipit të Gasperinit, gjatë përvojës së tij me Juventusin. Nga njëra anë fitorja e Kupës së Italisë në finale kundër zikaltërve, nga ana tjetër stoli i parë i përvojës bardhezi dhe vetëm një sukses në ndeshjet direkte (pikërisht ai në finalen e Kupës së Italisë).

Më 26 dhjetor 2018, në sezonin e parë me fanellën e “Zonjës së Vjetër”, Cristiano Ronaldo u përjashtua për herë të parë nga formacioni titullar dhe u ul në stol në Bergamo, përpara se të merrte përsipër ndeshjen në zhvillim dhe të shënonte golin e barazimit final 2-2. Një mbrëmje speciale për portugezin, sigurisht që nuk është mësuar të jetë jashtë fushe dhe të shikojë shokët e skuadrës.

“Cristiano do ta nisë nga pankina. Një herë do të mund ta shikoj ndeshjen me të. Jam i kënaqur me atë që po bën, ndikimi i tij është tejet pozitiv. Futbollisti më i mirë ndonjëherë. Në mars do të kemi nevojë për të, në sfida ku duhet të jetë aq vendimtar, sa ka bërë vitet e fundit”.

Këto janë fjalët e shprehura nga Massimiliano Allegri në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes, në të cilën trajneri i Juventusit shpalli “përjashtimin” nga formacioni startues të Ronaldos.

Ja formacionet e mundshme:
ATALANTA (3-4-1-2): Musso; De Roon, Demiral, Palomino; Zappacosta, Koopmeiners, Freuler, Maehle; Pasalic; Zapata, Ilicic.
MANCHESTER UNITED (3-4-1-2): De Gea; Dalot, Varane, Maguire; Wan-Bissaka, Fred, Pogba, Shaw; Bruno Fernandes, Cavani, Cristiano Ronaldo.

 

Leave A Comment