• Home
  • Seria A
  • Gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, zbardhen datat dhe oraret e supersfidave

Gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, zbardhen datat dhe oraret e supersfidave

Lega Serie A ka shpallur datat dhe oraret e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Italisë, Milan-Inter dhe Fiorentina-Juventus. Derbi i Milanos është caktuar për të martën e 1 marsit, në orën 21:00, në “San Siro”, ndërsa dueli mes Fiorentinës dhe Juventusit do të zhvillohet në “Franchi”, të mërkurën e 2 marsit, në të njëjtën orë.

Dy sfida me përmbajtje të lartë emocionale. Kampionët e Italisë do të kërkojnë hakmarrje të menjëhershme pas humbjes befasuese të pësuar në derbin e fundit ndaj “Djallit”, në kampionat, ndërsa përballja mes vjollcëve dhe bardhezinjve do ta shohë Dushan Vlahovic si protagonist të madh në Firence, pas transferimit të diskutueshëm të dimrit. Të dyja ndeshjet do të transmetohen nga “Mediaset” (Canale 5).

Po cila është rruga e gjysmëfinalistëve? Interi arriti pas një fitoreje 3-2 në 16-she kundër Empolit dhe një çerekfinaleje 2-0 kundër Romës së Mourinhos. Milani eliminoi Genoa (3-1 në “San Siro”) dhe Lazio (4-0, gjithashtu në “San Siro”). Juventusi përfundoi në top-katërshe, duke mposhtur Sampdorian 4-1 dhe Sassuolo 2-1. Fiorentina e nisi garën nga 32-shja, teksa mundi Beneventon (2-1), Napolin në kohën shtesë (5-2) dhe Atalantën (3-1).

Leave A Comment